Gjykata e Lartë ka vendosur të lirojë nga qelia Kreshnik Farrukun, i njohur si drejtuesi i të ashtuquajturit “klani Farruku”, i cili ishte arrestuar më 11 janar me kërkesë për ekstradim nga autoritetet italiane. Farruku kërkohet nga Italia për përfshirje në trafik ndërkombëtar droge.
Kjo nuk është hera e parë që emri i tij del në qendër të hetimeve. Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO konfiskoi 27 pasuri të Kreshnik Budllës dhe Erneo Farrukut, të dyshuar si të përfituara nga aktiviteti kriminal i trafikut të drogës. Budlla, i cili gjithashtu përdor emrin Kreshnik Farruku, rezulton i shpallur në kërkim me një urdhër-arrest europian të lëshuar nga Italia që në vitin 2018.
Klan i njohur për aktivitet kriminal
“Klani Farruku”, i përbërë kryesisht nga shqiptarë, është i njohur për autoritetet ligjzbatuese që prej vitit 2008. Ai është lidhur me aktivitete të tilla si grabitje banesash, trafik kokaine dhe krime të tjera të rënda. Në vitin 2019, Kreshnik Farruku u arrestua në Madrid, pas hetimeve të nisura që në vitin 2007 nga policia spanjolle për përfshirje të tij në një sulm ndaj shtëpisë së një biznesmeni.
Operacionet e fundit të Guardias Civile në Costa del Sol kanë synuar çmontimin e këtij rrjeti të trafikut të drogës, i cili besohet se ka pasur shtrirje në disa zona të provincës së Malagës. Megjithatë, numri i saktë i të arrestuarve mbetet i panjohur.
Kush është Kreshnik Farruku?
Farruku, që përdor edhe emrat Kreshnik Budlla, Besnik Farruku dhe Sokol Koçi, është dënuar nga Gjykata e Ancona-s në Itali me 6 vjet e 8 muaj burg për trafik droge. Arrestimi i tij në janar u konsiderua si një goditje ndaj rrjetit kriminal që ai drejtonte, megjithatë vendimi i Gjykatës së Lartë për ta lënë të lirë ngre pikëpyetje mbi vijimësinë e procedurave të ekstradimit.


