Një shtetas italian, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare për vepra penale në fushën e krimeve financiare, është arrestuar nga policia italiane në një hotel në Fondi, në provincën e Latinës.
Sipas autoriteteve italiane, bëhet fjalë për një 32-vjeçar me banim në zonën e Napolit, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar me qëllim ekstradimin në Shqipëri.
Operacioni u zhvillua nga efektivët e Komisariatit të Sigurisë Publike në Fondi, gjatë kontrolleve rutinë të personave të regjistruar në strukturat akomoduese. Prania e të kërkuarit u zbulua përmes sistemit të verifikimit të klientëve të hotelit, ndërsa pas sinjalizimit, Salla Operative dërgoi menjëherë patrullat në vendngjarje.
Pas identifikimit, 32-vjeçari u shoqërua në komisariat, ku verifikimet në bazat e të dhënave të Interpolit konfirmuan vlefshmërinë e masës së sigurisë të lëshuar nga autoritetet shqiptare. Më pas ai u arrestua me qëllim nisjen e procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Sipas dosjes hetimore, biznesmeni dyshohet për shmangie të detyrimeve tatimore në vlerën e rreth 150 mijë eurove, të lidhura me aktivitetin e tij tregtar në Shqipëri. Ai mësohet se ka qenë pronar i një fabrike këpucësh në vend, ndërsa ndaj tij ishte caktuar një masë sigurie në kuadër të një procedimi penal që vijon të jetë në hetim.
Pas arrestimit, 32-vjeçari u transferua në burgun e Latinës, ku do të qëndrojë në dispozicion të Gjykatës së Apelit kompetente për procedurat e ekstradimit. Gjykata pritet të shqyrtojë çështjen brenda afateve ligjore dhe të vendosë mbi kërkesën e autoriteteve shqiptare për dorëzimin e tij.


