Në emisionin “Opinion”, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Edhe pse theksoi se “me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira”, Berisha nënvizoi se PD nuk do të bojkotojë procesin.
“Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ne do të hyjmë në zgjedhje”, tha ai.
I pyetur për idenë e një kandidati të përbashkët të opozitës, të propozuar nga kreu i partisë “Mundësia”, Berisha u shpreh se PD është e gatshme të bashkëpunojë me forcat e tjera opozitare. “Do të bëjmë gjithçka për të bashkëpunuar me të gjitha partitë opozitare. Besoj se mund të arrihet një kandidat konsensual. Emri i tij mund të vijë edhe jashtë strukturave të një partie apo tjetrës, nuk është e pamundur”, u shpreh ai.
Berisha përmendi gjithashtu emrin e mjekut Ilir Alimehmeti si një alternativë që, sipas tij, “plotëson të gjitha kushtet për të kandiduar për kryetar bashkie në Tiranë”.
Kreu i PD shtoi se një figurë e pranuar nga të gjitha forcat opozitare do të ishte edhe më e dobishme, duke lënë të hapur mundësinë për një kandidat konsensual.
Në këtë mënyrë, Partia Demokratike konfirmon pjesëmarrjen në garën për kryeqytetin dhe paralajmëron përpjekje për të arritur një marrëveshje me partitë e tjera opozitare për një kandidat të vetëm.


