Referuar burimeve nga SPAK deri më tani dyshohet se Safet Bajri dhe Astmer Bilali, në bashkëpunim dhe me një person të tretë realizuan vrasjen e Fatbardh Licit në 2018.
Kush ishte Fatbardh Lici dhe si ndodhi ngjarja?
Kujtojmë se Fatbardh Lici, u vra me breshëri plumbash në 10 gusht 2018, teksa ndodhej në një lokal në Shkodër.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 7 e 30 minuta të mëngjesit në periferi të qytetit, në lagjen “Kiras”.
Viktima, 53-vjeç, thuhet se ka qenë duke pirë kafe në shoqërinë e dy personave të tjerë kur nga një mjet tip “Benz”, pa targa, ka dalë një person që ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Fatbardh Lici ishte kunat i Lulëzim Kullës, ku ky i fundit i shpëtoi atentatit me tritol në 13 Janar 2018.
Më tej u përforcuan dyshimet, se mes familjes Bajri dhe Lici kishte nisur lufta.
Dëshmitë e të afërmve të Licit nuk ndihmuan për të mbështetur dyshimet e hetuesve, se sulmi po vinte nga Bajrat.
Fatbardh Lici ishte i skeduar në Policinë e Shtetit, për dyshimet e një vrasjeje në pritë, në vitin 2011, të Astrit Kurmemaj, edhe ky gjithashtu i dënuar për vrasje. Por kjo pistë u rrëzua, pasi familjarë të Kurmemaj u panë në funeralin e Licit.
Vrasja e Fatbardh Licit, u hetua si pjesë e zinxhirit të vrasjeve që ndodhën në Shkodër gjatë këtyre muajve të 2018-ës. Gjithçka që policia mund të bënte ishte të ndiqte gjurmët dhe të studionte krimet në zinxhir për të ngritur pista drejt së vërtetës që nuk u gjet kurrë.


