Donald Trump ishte objekt i një tentative të dyshuar atentati gjatë Darkës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë muajin e kaluar, ndërsa i akuzuari, Cole Tomas Allen, është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Sipas prokurorëve, Allen më 26 prill kishte hyrë me forcë në një pikë kontrolli sigurie në hotelin ku po zhvillohej eventi, ndërkohë që Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës ndodheshin në një kat tjetër të godinës.
31-vjeçari u paraqit të hënën para një gjykate federale në Washington, D.C. me pranga në duar dhe këmbë, ku përmes avokatit të tij deklaroi se nuk pranonte asnjë nga akuzat.
Ai përballet me disa akuza të rënda, përfshirë tentativë për vrasjen e presidentit dhe sulm ndaj një oficeri sigurie.
Çështja po shqyrtohet nga gjyqtari federal Trevor McFadden, i emëruar më herët nga Trump. Gjatë seancës, gjyqtari shfaqi skepticizëm ndaj kërkesës së mbrojtjes për përjashtimin nga çështja të prokurores Jeanine Pirro dhe zyrtarëve të tjerë të administratës.
Avokatët argumentuan se Pirro dhe persona të tjerë të pranishëm në darkë mund të konsiderohen viktima të mundshme sipas versionit të ngjarjes, ndaj sipas tyre duhet të tërhiqen nga hetimi.
Mbrojtja kërkoi gjithashtu informacion shtesë mbi funksionimin e zyrës së prokurores, duke lënë të hapur mundësinë për të kërkuar përjashtimin e të gjithë zyrës së Prokurorit të SHBA-së në Uashington.
Megjithatë, gjyqtari McFadden deklaroi se një kërkesë e tillë do të ishte shumë e vështirë për t’u pranuar.
Seanca e ardhshme për çështjen është caktuar më 29 qershor.


