Hungaria dhe Sllovakia kanë kundërshtuar paketën e 18-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, e propozuar nga Komisioni Evropian më 10 qershor. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, deklaroi të hënën se të dy vendet vendosën të bllokojnë planin, për shkak të ndikimit që do të kishte ndalimi gradual i importeve të energjisë ruse në ekonomitë e tyre.
“Bashkimi Evropian po përpiqet të ndalojë vendet anëtare nga blerja e gazit dhe naftës së lirë nga Rusia. Ne nuk mund ta pranojmë këtë,” u shpreh Szijjarto në një konferencë për shtyp.
Hungaria dhe Sllovakia mbeten të varura nga furnizimet me energji nga Rusia dhe kanë ruajtur marrëdhënie të ngushta me Moskën. Kryeministri sllovak, Robert Fico, paralajmëroi se Sllovakia nuk do ta mbështesë paketën e re pa një zgjidhje konkrete për sigurimin e energjisë në vendin e tij.
Sipas rregullave të BE-së, miratimi i sanksioneve kërkon pajtim të njëzëshëm nga të gjitha shtetet anëtare. Kundërshtimi i Budapestit dhe Bratislavës i jep goditje përpjekjeve të BE-së për të rritur presionin mbi Kremlinin, në një kohë kur blloku synon të godasë të ardhurat e Rusisë nga energjia, sektori bankar dhe industria ushtarake.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i bëri thirrje Brukselit të tërheqë propozimin për ndalimin e importeve të energjisë nga Rusia, duke paralajmëruar për rritje të çmimeve të energjisë pas bombardimeve të fundit nga SHBA ndaj Iranit.


