Mjekësia shqiptare ka humbur një nga profesionistet e saj në mënyrë të parakohshme. Mjekja psikiatre Arlinda Tomçini është ndarë nga jeta në moshën 49-vjeçare, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët, miqtë dhe kolegët e saj.
Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga Spitali Universitar i Traumës, ku ajo shërbente prej një dekade si pjesë e Njësisë Mjekësore Ushtarake. Në mesazhin e ngushëllimit, kolegët e saj theksojnë përkushtimin, profesionalizmin dhe humanizmin me të cilin Dr. Tomçini ka ushtruar misionin e saj, duke dhënë një kontribut të çmuar në trajtimin e pacientëve dhe në punën ekipore brenda institucionit.
“Humbja e saj është e madhe jo vetëm për familjen, por edhe për komunitetin mjekësor dhe për Spitalin Universitar të Traumës. Në këto momente dhimbjeje, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë kolegëve,” thuhet në reagimin e spitalit.
Kujtimi, vlerat njerëzore dhe profesionale të mjekes psikiatre Arlinda Tomçini, me gradën Kapitene, do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë dhe shpirtit të Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë.


