Familja e këngëtares me famë botërore Rihanna është goditur nga një humbje e madhe, pasi babai i saj, Ronald Fenty, ka ndërruar jetë në moshën 70-vjeçare në Los Angeles, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.
Ronald Fenty kishte një histori të vështirë me varësinë nga alkooli dhe droga, çka ndikoi në mënyrë të ndjeshme në marrëdhënien e tij me vajzën. Për vite me radhë, Rihanna dhe i ati qëndruan të larguar nga njëri-tjetri, përpara se të pajtoheshin.
Në një intervistë në shkurt 2023, Fenty kishte shprehur gëzimin për faktin që Rihanna priste fëmijën e saj të dytë, duke shtuar se mezi priste të ishte pjesë e jetës së foshnjës.
Ronald kishte tre fëmijë me ish-bashkëshorten Monica Braithwaite: Rihanna, Rajat dhe Rory. Çifti u divorcua në vitin 2002, në një kohë kur karriera muzikore e Rihannës po fillonte të merrte hov.
Lajmi ka prekur fansa në mbarë botën, ndërsa Rihanna ende nuk ka bërë një reagim publik për humbjen e babait të saj.


