Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj në një intervistë për emisionin “Kjo Javë”, për herë të parë na ka zbuluar detaje për momentin gjatë protestës së opozitës, teksa ai humbi ndjenjat pas ndërhyrjes së forcave të policisë.
Demokrati u shpreh se nuk e kishte menduar që mund të ndodhte diçka e tillë pasi sipas tij, protestuesit ishin paqësor, ndërsa shton se nga pas pati dhe një urdhër politik.
“Unë rezistova disa minuta, nuk doja të ikja nga aty, por ndjeva ngadalësimin e frymëmarrjes. Kur më tërhoqën nga turma e policëve, humba ndjenjat”, ka treguar ai, duke theksuar se ka qëndruar për disa minuta pa ndjenja dhe më pas u dërgua për në spital.
Sipas Gjekmarkajt, ajo që e shqetësoi më tepër ishte reagimi i policisë, e cilas sipas tij, u përpoq të manipulonte situatën, duke njoftuar se ai u largua nga protesta.
“Nuk ika, as në kafe, as në shtëpi, ika në spital”, tha ai.
Ndërsa më tej deputeti theksoi se nuk vuan nga asnjë problem shëndetësor, por ngjarja ndodhi për shkak të presionit fizik që ushtroi policia.
“Ishte fyese deklarata ë policisë, se thanë që iku. Unë nuk ika, as në kafe as në shtëpi, ika në spital. Ajo që ndodhi nuk është se unë vuaj nga ndonjë shqetësim shëndetësor, por ishte derivat i presionit fizik që ushtroi policia. Reagimin pas ngjarjes e bëra sepse u ndjeva i fyer nga reagimi i policisë që mu duk manipulim”, tha demokrati.


