Një rast i rëndë në Durrës ka tronditur komunitetin dhe ka ngritur pyetje mbi veprimet e institucioneve shëndetësore dhe drejtësisë. Një qytetar denoncoi në emisionin investigativ Fiks Fare se nëna e tij humbi jetën pas një aksidenti rrugor, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është lënë i lirë.
Ngjarja ndodhi më 27 dhjetor, kur e moshuara po kalonte rrugën në lagjen ku banonte dhe u godit nga një automjet. Pamjet filmike të siguruara nga Fiks Fare tregojnë se drejtuesi i mjetit lëviz makinën mbrapsht, duke e lënë viktimën poshtë saj. Qytetarë të rastit ngritën automjetin me duar për të nxjerrë gruan, e cila u transportua urgjentisht në spital dhe qëndroi 20 ditë në reanimacion, deri në ndarjen nga jeta.

Familjarët shprehen të tronditur nga fakti se drejtuesi i mjetit, një 24-vjeçar, është lënë i lirë. Ata nuk kanë marrë informacion të plotë nga institucionet, përveç një vendimi gjyqësor ku është caktuar vetëm masa e “detyrimit për paraqitje” dhe ndalimi i daljes jashtë shtetit. Sipas tyre, Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar masën e arrestit, por gjykata vendosi një masë më të lehtë.
Në vendimin gjyqësor, përfaqësuesi i organit të akuzës deklaroi se viktima “ka qenë jashtë rrezikut për jetën”, ndonëse ajo ndodhej në reanimacion deri në momentin e vdekjes.
Familjarët kanë siguruar gjithashtu skedën e vdekjes, ku shkaku i humbjes së jetës është shënuar “vdekje natyrale”, pavarësisht se viktima kishte kaluar 20 ditë në reanimacion pas aksidentit. Mjeku përgjegjës ka pranuar se bëri një “lapsus momenti” dhe ka deklaruar se në përshkrim kishte shkruar “traumë”.
Familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe drejtësi për viktimën. Vajza e të ndjerës deklaron: “Nëse shteti nuk i jep dënimin e merituar autorit, ne nuk e falim vdekjen e nënës sonë.”


