Katër astronautët e misionit Artemis II kanë hyrë sot në sferën gravitacionale të ndikimit të Hënës, duke shënuar një tjetër moment historik për eksplorimin hapësinor.
Ekuipazhi, që udhëton në kapsulën Orion prej nisjes nga Florida javën e kaluar, pritet të arrijë një distancë maksimale prej rreth 252,757 miljesh nga Toka, duke synuar të thyejë rekordin e vendosur 56 vite më parë nga misioni Apollo 13.
Në bord ndodhen astronautët Reid Wiseman, Victor Glover dhe Christina Koch, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen. Ata do të kalojnë pranë anës së largët të Hënës, në një distancë rreth 4,000 milje mbi sipërfaqen e saj, duke ofruar pamje të rralla të Tokës nga horizonti hënor.
Ky është një nga kulmet e misionit gati 10-ditor, fluturimi i parë provë me ekuipazh në kuadër të programit Artemis, i cili synon rikthimin e njerëzimit në Hënë deri në fund të dekadës dhe ndërtimin e një pranie të qëndrueshme si hap drejt misioneve në Mars.
Gjatë fluturimit rreth Hënës, që pritet të zgjasë rreth gjashtë orë, komunikimi me Tokën do të ndërpritet përkohësisht, pasi sateliti natyror do të bllokojë sinjalet me rrjetin hapësinor të NASA.
Ndërkohë, në Qendra Hapësinore Johnson, një ekip shkencëtarësh po monitoron në kohë reale çdo të dhënë të dërguar nga ekuipazhi, duke analizuar vëzhgimet që pritet të kontribuojnë në misionet e ardhshme hapësinore.


