Hetimi i SPAK në lidhje me tenderat për oksigjenin mjekësor ka intensifikuar kontrollin mbi zyrtarë dhe administratorë të përfshirë në këtë fushë. Deri tani, prokuroria dyshon se 12 persona mund të kenë kryer shkelje që kapin miliona euro.
Njëri prej administratorëve nën hetim, Vladimir Vladimirov, i përfshirë në dosje që nga viti 2021, ka depozituar një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se gjatë sekuestrimit të telefonit të tij nga SPAK janë cënuar të dhënat personale që nuk lidhen me hetimin.
Vladimirov kërkon që gjykata të urdhërojë SPAK-un të asgjësojë komunikimet dhe të dhënat personale të përfituara nga telefonat, të cilat nuk janë objekt i procedimit penal.
Kjo kërkesë vjen në një kohë kur SPAK, vetëm gjatë tre viteve të fundit, ka sekuestruar 978 telefona në kuadër të hetimeve për korrupsion dhe shkelje të tenderave. Për rastin konkret të oksigjenit, në zyrat e Vladimirov janë sekuestruar gjithsej 30 kompjuterë, ndërsa disa punonjës janë marrë në pyetje dhe pritet që ndaj tyre të ngrihen akuza.
Rezultatet e këqyrjeve të pajisjeve elektronike do t’i bashkëngjiten hetimeve, duke ndihmuar në zbardhjen e mundshme të shkeljeve të pretenduara.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë më parë të drejtë në raste të ngjashme, si në rastin e Onejda Ymeraj dhe gazetarit Elton Qyno, të cilëve u ishin bllokuar telefonat dhe u kërkuan informacionet nga burimet e tyre.