Ditën e sotme Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar ashpër në lidhje me ngjarjen e djeshme, gjatë ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, ku forcat e policisë larguan nga tribuna flamurin e UÇK-së.
Përmes një reagimi të bërë në rrjet, OVL shprehu haptazi indinjatën e saj të thellë, duke theksuar se një akt i tillë përbën një fyerje të rëndë ndaj kujtesës historike dhe sakrificës së luftës çlirimtare.
“Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë, amaneti i tyre, liria për të cilën ata ranë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë. Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se ditën e djeshme janë penguar që të hynë në stadium tfiozët me veshje që kishin të stampuar logon e UÇK-së apo materiale të tjera të ngjashme me simbolikën e saj.
Pavarësisht këtyre, disa arritën të fusin flamurin e UÇK-së në tribuna, mirëpo sapo u vunë re nga policia kjo e fundit i ka larguar.
Ky veprim është pasuar me reagime të shumta opinionin publik, ndërsa Organizata e Veteranëve kërkon sqarime për arsyet dhe motivet e këtij ndalimi.
Reagimi i plotë i OVL-se:
Na dhemb zemra oj nanë Shqipni.
Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Preket amaneti i tyre, preket liria për të cilën ata ranë.
Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë, është kujtimi i atyre që jetojnë përherë në ndërgjegjen tonë.
Të na thuhet se nuk ka vend për të në tokë shqiptare, është një therje në shpirt për çdo familje Dëshmori, për çdo luftëtar, për çdo zemër që rreh shqip.
Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt, për ata që s’kërkuan asgjë, përveç lirisë sonë.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, jo me mllef, por me zemër të thyer, kërkon ndjeshmëri e kujdes, sepse kjo nuk është politikë, është kujtesë dhe kujtesa është e shenjtë.
LEXO EDHE:
E BUJSHME/ Italia shkarkon trajnerin e kombëtares, Spalleti: Ky nuk ishte qëllimi im


