Rreth 420 tonë misër të importuar nga Serbia janë bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në pikën doganore të Hanit të Hotit, pasi dyshohet se përmbajnë aflatoksinë – një nga toksinat më të rrezikshme për shëndetin e kafshëve dhe njerëzve.
Misri, i nisur drejt fermave blegtorale shqiptare, udhëtonte me 15 kamionë, të cilët u ndaluan në zbatim të urdhrit të ministrit Andis Salla për analizimin e çdo ngarkese me misër. Sipas burimeve për Top Channel, mostrat janë dërguar jo vetëm në ISUV, por edhe në laboratorë të akredituar në Belgjikë dhe Itali, ku rezultatet dalin shumë më shpejt se në laboratorët vendas.
Aflatoksina është klasifikuar nga OBSH si një nga toksinat më kancerogjene për njeriun. Nëse kafshët ushqehen me misër të kontaminuar, myku kalon në qumësht, ku nuk shpërbëhet nga asnjë proces përpunimi, duke e shndërruar produktin në një rrezik të drejtpërdrejtë për konsumatorët.
Nga të dhënat paraprake, ushqimi i kafshëve që vjen nga Serbia rezulton i kontaminuar – diçka që u konfirmua edhe në ngarkesën e parë prej 25 tonësh, bllokuar më 7 nëntor. Mykotoksinat formohen kur misri ruhet në kushte të lagështa ose jo të përshtatshme.
Ndërkohë, fermat shqiptare vijojnë të varen nga misri i importit, pasi prodhimi vendas është drejt zhdukjes. Fermerët shqiptarë konsiderohen ndër më pak të subvencionuarit në rajon, çka i ka bërë jo konkurrues përballë fermerëve serbë që prodhojnë më lirë dhe me fitime më të mëdha.
Kjo situatë, sipas ekspertëve, ka futur në zinxhirin ushqimor të blegtorisë shqiptare produkte të rrezikshme, duke vënë në rrezik shëndetin e kafshëve, konsumatorëve dhe sigurinë ushqimore të vendit.


