Hillary Clinton ka befasuar opinionin publik me një deklaratë të papritur për rivalin e saj politik, Donald Trump. Në një intervistë për podkastin “Raging Moderates”, ish-kandidatja demokrate tha se do ta nominonte ish-presidentin republikan për Çmimin Nobel për Paqe, nëse ai arrin të përfundojë luftën në Ukrainë pa i lëshuar territor presidentit rus Vladimir Putin.
“Sinqerisht, nëse ai mund t’i jepte fund kësaj lufte të tmerrshme, pa e vendosur Ukrainën në një pozitë ku duhet të dorëzojë territorin e saj agresorit, dhe nëse ai mund t’i kundërvihej Putinit – diçka që nuk e kemi parë deri tani, por ndoshta kjo është mundësia – nëse Presidenti Trump do të ishte arkitekti i kësaj, unë do ta nominoja atë për Çmimin Nobel për Paqen”, tha Clinton.
Deklarata e saj vjen ndërsa Trump udhëton drejt Alaskës për t’u takuar me homologun rus, në kuadër të bisedimeve që ai shpreson të çojnë në përfundimin e konfliktit trevjeçar në Ukrainë. Trump është shprehur i bindur se Putin dëshiron një marrëveshje, duke e vlerësuar rrezikun e dështimit në vetëm 25%.
Qëndrimi i Clinton ka surprizuar, duke pasur parasysh historikun e sulmeve të saj ndaj Trumpit që nga gara presidenciale e vitit 2016, kur ai e mundi në mënyrë të papritur. Gjatë fushatës, Clinton e kishte akuzuar për papërshtatshmëri emocionale dhe mungesë përgatitjeje për postin e presidentit, ndërsa kishte kritikuar edhe lidhjet e tij të ngushta me Putin para pushtimit rus të Ukrainës.


