Aktivistja mjedisore Greta Thunberg u gjobit dhe iu ndalua hyrja në qytetin e Venecias, pas një aksioni proteste të organizuar nga “Extinction Rebellion”. Veprimi kishte për qëllim të tërhiqte vëmendjen mbi zhgënjimin e organizatave mjedisore për rezultatet e samitit COP30 në Brazil.
Protestuesit përdorën një ngjyrë të gjelbër, të biodegradueshme, për të ngjyrosur ujin në dhjetë qytete italiane, duke përfshirë lumenjtë, liqenet dhe shatërvanët, si pjesë e aksionit “Ndalo Ekocidin”. Në Venecia, Thunberg dhe aktivistët e tjerë u veshën me të kuqe dhe ecën ngadalë mes turistëve, duke mbuluar fytyrat me vello.

Për veprimin, 22-vjeçarja dhe 35 anëtarë të tjerë të organizatës u gjobitën me 150 euro secili dhe iu ndalua hyrja në qytet për 48 orë. Sipas Extinction Rebellion, ngjyra e përdorur është plotësisht e padëmshme për mjedisin dhe simbolizon pasojat e ndryshimeve klimatike. Ngjyra u përdor edhe në lumin Po në Torino, lumin Reno në Bolonjë, lumin Tara në Taranto, si dhe në shatërvanët e Padovës dhe Xhenovës.
Veprimi përkoi me ditët e fundit të samitit COP30, ku negociatat u vonuan pa një marrëveshje të qartë për uljen e përdorimit të lëndëve djegëse fosile. Zëdhënësi i Extinction Rebellion deklaroi se mekanizmi global për të adresuar krizën klimatike po përfundon, ndërsa shumë vende, përfshirë Italinë, po bllokojnë propozimet më ambicioze.


