Parlamenti grek miratoi sot një ligj të ri dhe shumë të debatueshëm mbi migracionin, që parashikon kthimin me forcë të azilkërkuesve të refuzuar dhe kriminalizon qëndrimin e paligjshëm, i cili do të dënohet me 2 deri në 5 vite burg.
Ligji u mbështet nga shumica e partisë konservatore në pushtet Demokracia e Re (ND), partisë nacionaliste Niki dhe deputetëve të pavarur të ekstremit të djathtë, pavarësisht kritikave të ashpra nga Komisioneri i Lartë për Refugjatët i OKB-së, Avokati i Popullit, gjyqtarë dhe organizata të të drejtave të njeriut.
Opozita e majtë votoi kundër, duke e cilësuar ligjin si “racist, të paligjshëm dhe të pazbatueshëm”.
Sipas ligjit, emigrantët pa dokumente do të ndalohen deri në largim, ndërsa rikthimi i paligjshëm në Greqi pas një urdhri dëbimi do të dënohet me të paktën 3 vite burg. Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, paralajmëroi: “Emigrantët e paligjshëm do të vendosen në paraburgim dhe do ta dinë se po kryejnë një krim.”
Ky zhvillim vjen vetëm dy muaj pasi Athina pezulloi për tre muaj kërkesat për azil të qytetarëve nga Afrika e Veriut, pas fluksit të madh të mbërritjeve në Kretë.


