Autoritetet italiane kanë shënuar një zhvillim të rëndësishëm në hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 22 qershor në Foria di Centola, ku gjatë një tentative grabitjeje u vra me armë zjarri 25-vjeçari shqiptar, Rivaldo Rusi. Karabinierët arrestuan Xhuljan Kurtin, 28 vjeç, një tjetër shtetas shqiptar, i dyshuar si bashkëpunëtor i Rusit në përpjekjen për grabitje që përfundoi me gjakderdhje.
Kurti u ndalua me urdhër të Prokurorisë dhe ndaj tij janë ngritur disa akuza: tentativë vjedhjeje, grabitje dhe posedim i paligjshëm i armës së zjarrit. Ai është vendosur në masën e sigurisë “arrest me burg”. Ndërkohë, personi i tretë që dyshohet se ishte pjesë e të njëjtit grup mbetet në kërkim.
Ngjarja nisi kur tre shqiptarët u futën fillimisht në një tjetër banesë në Foria di Centola. Më pas, ata shkuan në shtëpinë e sipërmarrësit Aurelio Valiante, 58 vjeç. Sipas dëshmisë së tij, Valiante, pasi dëgjoi zhurma në oborr, doli me pushkë gjahu dhe u përball me grabitësit. Ai thotë se njëri prej tyre qëlloi i pari, dhe për këtë arsye reagoi duke hapur zjarr. Nga të shtënat, Rusi mbeti i vrarë dhe Kurti u plagos.
Më pas, Valiante e transportoi trupin e Rusit dhe e groposi në zonën San Severino di Centola, ku edhe u gjet nga karabinierët. Ai më vonë u paraqit vetë në polici, ndërsa është nën hetim për vrasje dhe fshehje kufome, por ende nuk është arrestuar.
Ndërkohë, autopsia mbi trupin e Rivaldo Rusit është kryer dhe pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, duke përcaktuar nëse të shtënat janë bërë përballë apo nga pas – një detaj i rëndësishëm për të vlerësuar ligjshmërinë e vetëmbrojtjes.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe për kapjen e personit të tretë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.


