Autori i grabitjes së një pike të këmbimit valutor në zonën e “5 Majit” në Tiranë është arrestuar nga policia pas disa orësh arrati.
Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:10 në rrugën “5 Maji”, ku autori i identifikuar si Luan Maçi, 42 vjeç, ka hyrë në pikën e “Western Union” brenda një qendre tregtare dhe, nën kërcënimin armës, ka marrë një shumë parash.
Pas grabitjes, autori është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, duke bërë rrethimin e zonës dhe duke ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth për kapjen e autorit.
Pas disa orësh kërkimesh dhe kontrollesh në zonë, policia ka arritur të lokalizojë dhe të arrestojë autorin e dyshuar të grabitjes.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.


