Në Tiranë ka nisur sot edicioni i 10-të i Shkollës së Integrimit Evropian, një platformë njëjavore ku përfaqësues të administratës publike, organizatave joqeveritare, biznesit, medias dhe universiteteve diskutojnë mbi politikat e BE-së dhe procesin e integrimit të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se faza aktuale e negociatave kërkon ekspertizë të thelluar dhe kapacitete profesionale në të gjitha nivelet institucionale.
“Tani është koha që Shqipëria ka nevojë për ju. Efektiviteti i negociatave varet nga prania e mjaftueshme e stafit të kualifikuar dhe të motivuar në institucionet kyçe,” deklaroi Gonzato, duke nënvizuar rolin kritik të burimeve njerëzore në procesin e anëtarësimit.
Ai shtoi se investimi te njerëzit është vendimtar për ndërtimin e një administrate profesionale, të qëndrueshme dhe të aftë për të përmbushur angazhimet e vendit ndaj BE-së.
“Bashkimi Evropian është plotësisht i angazhuar të mbështesë Shqipërinë, duke siguruar që ajo të ketë strukturat, aftësitë dhe qëndrueshmërinë e nevojshme për t’i përmbushur këto angazhime,” përfundoi ambasadori.
Shkolla e Integrimit Evropian organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në bashkëpunim me OSFA, Delegacionin e BE-së dhe fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”.


