Në jug të Katalonjës, një nismë e pazakontë po dëshmon se edhe metodat tradicionale mund të kenë rol të rëndësishëm në luftën kundër zjarreve pyjore. Organizata jofitimprurëse Tivissa Donkey Firefighters rehabiliton gomarë të braktisur ose të keqtrajtuar dhe i përdor ata për të pastruar bimësinë e thatë, duke ulur rrezikun e përhapjes së flakëve.
Ndërsa shumë vende investojnë në satelitë, dronë dhe sisteme të inteligjencës artificiale për monitorimin dhe parandalimin e zjarreve, kryebashkiaku i Tivissës, Joan Cedo Sans, ka zgjedhur një qasje më natyrore. Gomarët kullosin barërat dhe shkurret e thata në zonat malore dhe rurale, duke krijuar breza natyrorë që pengojnë përhapjen e zjarreve.

Spanja po përballet me një sezon veçanërisht të vështirë zjarresh këtë verë. Mbi 240 mijë hektarë tokë janë djegur deri tani, ndërsa një prej zjarreve të fundit në jug të vendit u shndërrua në një nga më vdekjeprurësit e viteve të fundit.
Ideja lindi pasi Joan Cedo përjetoi pasojat e zjarreve që goditën zonën e tij në vitin 2013. Ai vendosi të provonte nëse disa gomarë mund të pastronin shkurret përreth pyjeve dhe, sipas tij, rezultatet ishin të menjëhershme.
Përveç ndikimit në mbrojtjen e mjedisit, projekti u ofron kafshëve të shpëtuara një jetë më të mirë. Organizata kujdeset për rehabilitimin e tyre, siguron ndihmë veterinare përmes vullnetarëve dhe i ushqen me produkte të dhuruara nga fermat lokale dhe biznese të zonës, duke e kthyer nismën në një model që përfiton njëkohësisht natyrën dhe mirëqenien e kafshëve.


