Politologu Fitim Zekthi ka analizuar deklaratat e deputetes Monika Kryemadhi jashtë SPAK. Gjuhën e përdorur nga Kryemadhi, ai e ka analizuar si një mënyrë që ajo po përpiqet të largojë vëmendjen nga vetja, duke e relativizuar çështjen e saj.
“Është një kombinim i retorikës politike, por sidomos një përpjekje për tu mbrojtur, në gjykimin tim jo në mënyrën e duhur. Politikanët kur akuzohen nga prokuroria, mbrohen në Gjykatë, nuk dalin jashtë të flasin. Mesa kuptoj unë zonja Kryemadhi po përpiqet të shantazhojë, të kërcënojë, ose më së shumti të prodhojë zhurmë.
Duke prodhuar zhurmë ajo mendon se mund të relativizohet çështja e saj. Unë nuk mund të them nëse është fajtore, unë do doja të ishte e pafajshme, por mendoj se e bën këtë gjë për të relativizuar çështjen e saj.
Ndaj përmend të tjerë, akuzon të tjerë dhe shantazhon të tjerë në funksion të kësaj retorike politike. Ka një koncept politologjie, “censurë me zhurmë” ti bën zhurmë që të censurosh të vërtetën. Ky është stil i politikës shqiptare”, tha ai për “Now me Erla Mëhillin”.


