Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të mërkurë kalimin për gjykim të dosjes ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, i akuzuar nga SPAK për “mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”. Vendimi vjen pas gati tetë muajsh nga dërgimi fillestar i çështjes në gjykatë dhe pas rikthimit të dyfishtë për plotësim të hetimeve.
Sipas SPAK, Dogjani ka blerë në vitin 2010 një apartament me vlerë 126 mijë euro, të cilën dyshohet se e ka paguar në dorë (cash), ndërkohë që e ka deklaruar si një pronë të përfituar në këmbim të konsulencave juridike që ai kishte ofruar si avokat. Hetuesit thonë se nuk ka prova që mbështesin këtë pretendim.
Dogjani, i cili nuk arriti të sigurojë një tjetër mandat në zgjedhjet e 11 majit, ka reaguar ashpër pas vendimit, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht dhe të ndikuar nga mazhoranca. Ai e akuzoi publikisht drejtësinë si të kapur nga kryeministri Edi Rama, ndërsa deklaroi se do ta ndjekë me përparësi këtë çështje, për të provuar pafajësinë e tij.
“Në dy kthimet për hetime nuk ka pasur prova të reja. Bëhet fjalë për një konflikt të hapur me ndërtuesin, i cili në asnjë nga deklarimet tatimore nuk rezulton të ketë marrë pagesa nga unë. Për këtë kemi paraqitur prova të qarta, përfshirë deklaratat e TVSH-së, që tregojnë zero shitje. Por edhe pse me vendim gjykate, nuk na janë vënë në dispozicion nga tatimet”, tha Dogjani.
Nëse shpallet fajtor, Dogjani rrezikon një dënim që varion nga gjobë deri në tre vite burg. Ndërkohë, ai ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga denoncimet dhe do të vijojë të luftojë për atë që e quan e vërteta e tij.


