Situata e krijuar nga reshjet intensive të shiut në qarkun e Gjirokastrës po shkon drejt përmirësimit, megjithatë autoritetet kanë ndërhyrë për evakuimin e katër familjeve, banesat e të cilave u rrezikuan nga rrëshqitjet e dherave.
Përgjegjësi i Emergjencave Civile në Gjirokastër, Edmond Avdalli, bëri me dije se strukturat vendore vijojnë punën në terren për pastrimin e inerteve dhe monitorimin e vazhdueshëm të situatës, veçanërisht në zonat më problematike.
Sipas tij, reshjet e pazakonta të dy ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime të përrenjve malorë, rrëshqitje masive dhe bllokime të përkohshme të akseve rrugore, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe duke shkaktuar përmbytje në disa pallate në qytet.
“Në terren kanë qenë të angazhuara forcat bashkiake dhe ato të Forcave të Armatosura, të cilat kanë asistuar banorët dhe kanë evakuuar familjet që ndodheshin në rrezik. Katër banesa janë konstatuar si të rrezikuara dhe për këtë arsye janë evakuuar katër familje”, deklaroi Avdalli.
Ai shtoi se gjatë orëve të pasdites intensiteti i reshjeve ka rënë, por aktualisht vijojnë të jenë të bllokuara tre akse rurale. Për këtë arsye, bashkia ka kërkuar asistencë nga Ministria e Mbrojtjes për ndërhyrje me mjete të rënda.
Qarku i Gjirokastrës u përball ditët e fundit me disa problematika të shkaktuara nga moti i keq. Mbrëmjen e së martës, përroi i Ficos doli nga shtrati, duke sjellë përmbytje dhe depozitime të mëdha inertesh në rrugë dhe zona të ndryshme të qytetit.


