Në Gjirokastër, një 33-vjeçar është proceduar penalisht pasi dyshohet se ka përhapur informacione të rreme në rrjetet sociale, duke shkaktuar panik te qytetarët.
Sipas Policisë së Shtetit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës kanë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi për shtetasin E. K., 33 vjeç, banues në qytet, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.
Hetimet tregojnë se ai dyshohet se ka publikuar pretendime të pavërteta në rrjetet sociale, sipas të cilave kryetari i bashkisë dhe disa punonjës të institucionit ishin të infektuar me HIV/AIDS, duke krijuar shqetësim dhe alarm tek qytetarët.
Si provë materiale, policia ka sekuestruar edhe celularin e të dyshuarit, i cili do të analizohet në kuadër të hetimeve.
Materialet i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme ligjore.


