Site icon Informohu siç duhet

Gjekmarkaj: Berisha rishpiku veten dhe të mirën por njerëzit nuk duan demokraci

Gjekmarkaj: Berisha rishpiku veten dhe të mirën por njerëzit nuk duan demokraci

Në një intervistë të dhënë së fundmi për gazetën “Panorama”, deputeti Gjekmarkaj komentoi më tej në lidhje me humbjen e opozitës me 11 maj.

I pyetur se ku çaloi PD që nuk siguroi dot fitoren, Gjekmarkaj u shpreh se zgjedhjet u zhvilluan në një klimë ku qeveria kontrollon thuajse të gjithë mekanizmat e shtetit.

Sipas tij në këto zgjedhje nuk humbi PD-ja, por u mund Shqipëria dhe perspektiva e saj demokratike e europiane.

Ndërsa më tej demokrati kundërshtoi tërheqjen e Berishës nga politika me argumentimin se ai rishpiku veten dhe bëri një fushatë të jashtëzakonshme me program, ide dhe ritëm.

Pjesë nga intervista:

Z.Gjekmarkaj, pse humbi opozita në zgjedhjet e 11 majit?

Humbja e opozitës është pasojë e një sistemi të degraduar zgjedhor dhe politik në Shqipëri. Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë ku qeveria kontrollon thuajse të gjithë mekanizmat e shtetit, nga administrata në media, duke shtypur pluralizmin dhe duke trysnuar procesin zgjedhor.

Presione të shumta ndaj votuesve, përdorimi i burimeve shtetërore në fushatë, njësimi i shtetit me pushtetin, bonuset për pensionistët, falja e gjobave në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, lidhjet me krimin të organizuar dhe mungesa e një gare të ndershme kanë bërë që opozita të humbasë një garë që në kushte normale do ta fitonte.

Kjo është një sfidë që nuk është vetëm për ne, por për demokracinë shqiptare në tërësi. Në këto zgjedhje nuk humbi PD-ja, por u mund Shqipëria dhe perspektiva e saj demokratike e europiane.

A ndikoi në pengimin e opozitës arrestimi i z.Berisha dhe Salianjit?

Arrestimet e zotit Berisha dhe Salianjit ishin përpjekje të dukshme për të dobësuar opozitën dhe për të frikësuar mbështetësit tanë. Këto veprime ishin sulme politike që synonin të pengonin procesin e bashkimit dhe organizimin tonë. Por nuk na ndaluan. Nuk u thyem, na motivuan të vazhdojmë me më shumë vendosmëri për të rikthyer shpresën tek qytetarët. E padrejtë, e dhimbshme, fyese që Ervin Salianji mbahet si i burgosur politik ende!

A duhet të ikë Sali Berisha pas humbjes së opozitës?

Jo! Ikjen e tij e kërkojnë socialistët dhe pushteti, mediat pranë tyre, jo demokratët. Ai rishpiku vetveten dhe bëri një fushatë të jashtëzakonshme, me program, ide, ritëm dhe kurajë. Projekti i Shqipërisë madhështore u shty, por përpjekja e tij mbetet madhështore dhe model për historinë. Sali Berisha është dhe do të mbetet një udhëheqës i domosdoshëm për opozitën dhe për vendin.

Si është të punosh me Sali Berishën si nënkryetar i tij?

Bashkëpunimi me Sali Berishën ka qenë i ngushtë dhe me shumë besim të ndërsjellë. Ai është një lider që njeh mirë sfidat dhe që i ka përballuar me kurajë dhe strategji. Nuk kam pasur kurrë një ndërhyrje për të bërë diçka që del jashtë natyrës sime të komunikimit.

Kam punuar për të realizuar vizionin e tij për PD-në dhe opozitën, që nga dita e bashkimit duke u përpjekur të jem një zë i fuqishëm brenda institucioneve dhe jashtë tyre. Jam krenar që jam pjesë e këtij projekti politik dhe kam marrë përgjegjësinë e drejtuesit politik fitues në Lezhë.

 

Exit mobile version