Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka njoftuar se ka depozituar një kallëzim penal ndaj ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviç, pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla tha se institucionet e Kosovës nuk do të qëndrojnë të heshtura përballë gjuhës së urrejtjes dhe deklaratave që, sipas saj, nxisin përçarje dhe cenojnë paqen.
“Sot kam deponuar kallëzimin penal ndaj Snezhana Paunoviq. Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit. Nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes”, shkroi ajo.
Sipas Gërvallës, deklaratat që justifikojnë spastrimin etnik nuk mund të konsiderohen pjesë e debatit të zakonshëm politik, pasi ato mbartin pasoja të rënda historike, juridike dhe njerëzore.
Ajo rikujtoi se më 12 korrik 2026, gjatë një interviste për emisionin “Neisprićano”, të transmetuar nga media serbe Kurir, Paunoviç kishte deklaruar: “Po të isha unë Sllobodan Millosheviçi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.”
Ministrja e Drejtësisë tha se, për këtë arsye, i ka kërkuar Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ta procedojë çështjen në gjykatë.
“Në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente”, theksoi Gërvalla.
Në reagimin e saj, ajo kujtoi edhe pasojat e luftës në Kosovë, duke theksuar se Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë konfliktit. Gërvalla përmendi mijëra viktima civile, personat e zhdukur, të dëbuarit me forcë, rastet e dhunës seksuale dhe shkatërrimin e banesave, duke i cilësuar ato si pjesë të një fushate sistematike të gjenocidit dhe spastrimit etnik.
Në përfundim, ministrja nënvizoi se në një shtet demokratik përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes duhet të jetë zbatimi i ligjit.
“Në një Republikë demokratike si Kosova, përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes është sundimi i ligjit. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe detyrimin moral për të mbrojtur rendin kushtetues, dinjitetin e çdo qytetari dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: lirinë, demokracinë, paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, përfundoi ajo.


