Futbollisti i Borussia Dortmund dhe i kombëtares gjermane, Karim Adeyemi, është dënuar me një gjobë prej 450 mijë eurosh për posedim të armëve të paligjshme. Lajmi është publikuar nga gazeta gjermane Bild, e cila raporton se gjoba do të paguhet në 60 këste prej 7,500 euro secili.
Ngjarja daton një vit më parë, kur gjatë një kontrolli të policisë ndaj Adeyemit dhe bashkëshortes së tij, reperes shqiptare Loredana Zefi, u gjetën një elektroshok dhe një bokser metalik. Sipas ligjit gjerman për armët, posedimi apo mbajtja e këtyre mjeteve konsiderohet vepër penale. Pas një procesi disa muajsh, gjykata ka dhënë vendimin përfundimtar duke e gjobitur futbollistin me një shumë të lartë.
As Adeyemi dhe as avokati i tij nuk kanë pranuar të komentojnë mbi vendimin. Nga ana tjetër, Borussia Dortmund ka deklaruar se i merr shumë seriozisht akuzat penale ndaj lojtarëve të saj dhe se do të zhvillojë një takim me Adeyemin, duke respektuar kriteret e konfidencialitetit.

Episodi në Kosovë që u kthye në debat
Adeyemi ishte bërë gjithashtu pjesë e polemikave rajonale në maj të këtij viti, gjatë një vizite në Kosovë me Loredanën, e cila ka origjinë nga Ferizaj. Në rrjetet sociale qarkulloi një foto ku futbollisti pozonte me simbolin e shqiponjës dykrenare përpara një monumenti të UÇK-së, çka shkaktoi reagime të shumta në Serbi.
Lidhja me Loredanën dhe kritikat në Gjermani
Karim Adeyemi dhe Loredana u martuan në vitin 2024, ndërsa janë së bashku që prej fillimit të 2023. Mediat gjermane, sidomos Bild, e kanë kritikuar më herët reperen, duke pretenduar se marrëdhënia e tyre ndikoi negativisht në formën sportive të futbollistit, i cili kaloi një periudhë të dobët dhe u përfol për pezullim të mundshëm nga Dortmundi.


