Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) ka kërkuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratimin e një tarife të re prej 22 lekë/kWh për karikimin e makinave elektrike, si në pikat publike, ashtu edhe për abonentët familjarë që kanë fuqi të instaluar mbi 11 kW. Aktualisht, çmimi i karikimit është 14 lekë/kWh, çka do të thotë një rritje prej rreth 57%.
Kompania argumenton se rritja e shpejtë e numrit të makinave elektrike dhe e pikave të karikimit ka krijuar tashmë një kategori të re konsumatori, që ndikon ndjeshëm në kostot e furnizimit me energji. Për këtë arsye, FSHU propozon që tarifa e re të hyjë në fuqi nga 1 nëntori 2025.
Në relacionin drejtuar ERE-s, kompania shpjegon se “në fillim, konsumi i pikave të karikimit ishte i papërfillshëm, por tashmë ndikimi në kostot e furnizimit është rritur ndjeshëm”. Gjatë tetëmujorit të parë të vitit 2025, sipas FSHU-së, kostot e disbalancave energjetike janë rritur, veçanërisht për kategoritë e konsumatorëve jo familjarë — industri, tregti dhe shërbime.
Për të balancuar efektet financiare, FSHU kërkon që tarifimi me 22 lekë/kWh të zbatohet për:
Pikat publike të karikimit të makinave elektrike;
Familjarët dhe subjektet që kanë ose kërkojnë fuqi të instaluar mbi 11 kW, që u mundëson karikimin në shtëpi apo në biznese.
Kjo tarifë nuk do të prekë konsumatorët ekzistues që furnizohen nga shërbimi universal me fuqi deri në 11 kW, të cilët do të vijojnë të paguajnë çmimet aktuale.
FSHU thekson se masa synon rikuperimin e kostove të krijuara nga konsumi shtesë i makinave elektrike, pa rritur tarifat për kategoritë e tjera të abonentëve.

