Policia e Korçës ka zbardhur dinamika e ngjarjes tragjike të ndodhur dje në fshatin Pirg, ku një 14-vjeçar humbi jetën pasi u godit me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.
Policia sqaron se ngjarja e rëndë ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes dy të miturve. Autori i dyshuar, 14-vjeçari E. G., pas krimit tentoi të largohej nga vendngjarja me një automjet. Ai u arrestua dhe akuzohet për “Vrasje me dashje” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Në pranga kanë rënë edhe babai dhe xhaxhai i autorit të dyshuar, E. G. (44 vjeç) dhe R. G. (44 vjeç), të cilët dyshohet se kanë fshehur mjetin prerës – thikën me të cilën u krye krimi – duke u akuzuar për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Po ashtu, janë arrestuar katër të mitur nga fshati Zvirinë, të pranishëm gjatë konfliktit, të cilët me deklarimet e tyre në Polici tentuan të pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ata do të hetohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Personi i tetë i arrestuar është F. Ç. (34 vjeç), banues në fshatin Leminot, që ishte gjithashtu në vendngjarje dhe tentoi të largohej në të njëjtin automjet me autorin e dyshuar. Ai akuzohet për “Moskallëzimi i krimit”.
Gjatë operacionit policor u sekuestruan thika e përdorur në krim, automjeti me të cilin u tentua largimi, si dhe pesë celularë që do të shërbejnë si prova materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për vijimin e hetimeve, ndërsa policia thekson se po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Radar.al


