Policia italiane ka çmontuar një grup kriminal shqiptar, i njohur si “skifterët”, pas një serie vjedhjesh të planifikuara në banesa, biznese dhe vila në rajonin e Venecias dhe më gjerë. Katër persona u arrestuan në Padova, me mbështetjen e kolegëve nga Friuli, teksa po ktheheshin nga plaçkitjet e kryera në zonën e Pordenones.
Grupi akuzohet për vjedhje të sendeve me vlerë rreth 200,000 euro, përfshirë bizhuteri dhe orë luksoze. Gjatë bastisjes, policia gjeti një apartament me prova të shumta dhe një makinë me targë false. Njëri nga të arrestuarit kishte tentuar arratisjen, por u kap nga autoritetet.
Të katër të arrestuarit janë të moshave 25-36 vjeç, disa me precedentë penalë për vjedhje me thyerje dhe armë, dhe ndodhen aktualisht në burgun e Pordenones, në pritje të hetimeve dhe gjykimit.




