Një foshnjë vetëm 2 muajshe ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe është transportuar me urgjencë nga Korçë drejt Tiranë për trajtim më të specializuar mjekësor.
Foshnja u paraqit në repartin e pediatrisë në spitalin rajonal të Korçës në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Sipas burimeve nga spitali dhe policia, dyshohet se gjendja e saj është përkeqësuar si pasojë e kequshqyerjes.
Bëhet me dije se foshnja ka lindur para kohe, në muajin e shtatë të shtatzënisë. Fillimisht ajo është trajtuar në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, ku kishte dalë në gjendje të stabilizuar. Megjithatë, pas kthimit në banesë gjendja e saj është përkeqësuar ndjeshëm.
Sipas të njëjtave burime, dyshohet se nëna nuk e ka ushqyer foshnjën me gji, çka mund të ketë ndikuar në rëndimin e gjendjes së saj shëndetësore. Gjithashtu, ka dyshime se nëna mund të ketë probleme të shëndetit mendor, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë nëse ajo ka shfaqur shenja të përkeqësimit pas lindjes.
Nga ekzaminimet mjekësore rezulton se parametrat jetësorë të foshnjës janë në kufijtë minimalë. Mjekët bëjnë me dije se në momentin që foshnja mbërriti në pediatrinë e spitalit të Korçës kishte probleme të rënda respiratore dhe peshonte vetëm 1 kilogram.
Sipas bluzave të bardha, kjo peshë ka mbetur e njëjtë që nga momenti i lindjes deri tani, pas dy muajsh jetë, çka tregon se foshnja nuk ka pasur zhvillim. Kequshqyerja mbetet dyshimi kryesor i policisë, megjithëse nuk përjashtohen edhe faktorë të tjerë që lidhen me lindjen e parakohshme.
Ndërkohë, policia ndodhet në spital dhe po ndjek nga afër rastin, ndërsa mjekët po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar jetën e foshnjës.


