Forcat Speciale nga Kosova, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kroacia kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët, me qëllim forcimin e aftësive ndërvepruese dhe operacionale si dhe shkëmbimin e përvojave mes forcave aleate dhe partnere.
Lajmi u bë i ditur nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral-lejtnant Arben Kingji, i cili përmes një postimi në Facebook shprehu urimet e tij për 27-vjetorin e krijimit të Forcave Speciale.
“Forcat Speciale përfaqësojnë profesionalizmin, përkushtimin dhe dinjitetin më të lartë të Forcave të Armatosura dhe janë një burim krenarie kombëtare. Faleminderit për shërbimin dhe kontributin tuaj të çmuar në mbrojtje të sigurisë kombëtare dhe vlerave të Aleancës”, shkroi Kingji, duke theksuar rëndësinë e rolit të tyre në mbrojtjen e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.


