Nga Flamur Vezaj
Është bërë trend tashmë që në emisionet kryesore të mbrëmjes, veçanërisht ato të debateve politike, të përfshihen gjithnjë e më shumë emisione komerciale! Këto emisione transmetojnë investime dhe intervista me personazhe të ndryshëm kundrejt pagesës, duke vepruar si reklama. Nga ana tjetër, opinionit publik i shiten si arritje apo figura të suksesshme në fushën e biznesit. Fatkeqësisht, ndonjëherë promovohen edhe individë me të kaluar të dyshimtë.
Një rast i tillë ndodhi në emisionin e së hënës në “Top Story”, ku u intervistua shtetasi/biznesmeni Julian, alias Lulzim ose Lul Morina. Një figurë kontroverse dhe financues i Partisë Demokratike, kohët e fundit edhe i Partisë Socialiste, dhe mik i vëllait të kryeministrit, e jo vetëm!
Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte niveli intelektual i tij, i cili dukej të ishte i barabartë ose më i ulët se ai i ish-deputetes gazmore të “kërperates”. Ishte aq shumë i mahnitur nga puna e Kryeministrit Rama, sa nuk ndalej së përmenduri shtrimin e rrugëve dhe trotuareve. Megjithatë, nuk thoshte “trotuar”, por “tortuar”, përveç gafave të tjera që bënte.
Gjithsesi, mendoj se para se të ftohen persona të tillë, duhet të konsultoheni me gazetarët e kronikës. Ju të “Top-it” keni Anila Hoxhën, e cila mund t’ju informojë për këto lloj personazhesh! Mos promovoni në media njerëz me të kaluar të dyshimtë që paraqiten si biznesmenë të suksesshëm, sepse rrjetet sociale tashmë janë mbushur me “infeksione” të tilla!
Në fund, dua të rendis disa pyetje që nuk iu bënë Julian alias Lulzim ose Lul Morinës në emisionin “Top Story”, për të kuptuar më mirë kush është ky “biznesmen” i suksesshëm në fushën e ndërtimit dhe hotelerisë në Shqipëri:
#
1. Si e bëre milionin e parë?
2. Çfarë biznesi ke bërë në Itali dhe jo vetëm? A ke shitur “jonxhë”, “miell” apo “kofsha pule”?
3. Sa herë je hetuar dhe dënuar jashtë Shqipërisë?
4. Për çfarë akuze je dënuar në Itali?
5. Me çfarë biznesi ke filluar në Shqipëri?
6. Ku janë prokurorët dhe gjyqtarët me të cilët punoje si “avokat” në Fier, Tiranë?
7. Nga vinin të ardhurat me të cilat ke blerë prona?
8. Sa kredi ke marrë në banka?
9. Për çfarë arsye i ke dhënë “dhuratë” 80 mijë euro gruas së ish-ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, në kohën kur ky i fundit ishte ministër?
10. Po transaksionin e dytë, dhurata për bashkëshorten e Tahirit, për çfarë arsye ia ke bërë?
11. Për çfarë je marrë në pyetje dy herë nga SPAK-u dhe çfarë ke deklaruar për këto transaksione?
12. Kur të erdhi dosja nga Italia, kush të njoftoi dhe çfarë rruge ndoqe?
13. Kush të dha miratimin për ndërtimin e pallatit 10-katësh pa leje në Tiranë, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj apo Kryeministri Edi Rama?
14. Kush të mbrojti që nuk u arrestove për ndërtimin e pallatit 10-katësh pa leje, kur dihet që në Shqipëri për ndryshimin e dritareve policia ka arrestuar qytetarë të thjeshtë?
15. Cili prokuror t’i mbylli çështjet në Shqipëri?
16. Si ndihesh si i pandehur dhe çfarë mund të thuash për akuzën tashmë zyrtare ndaj teje për ndërtimin e paligjshëm të pallatit 10-katësh në Tiranë?
17. Po për procedimin tjetër për ndërtim të paligjshëm, ke ndonjë koment?
18. Elozhet për Kryeministrin Ramën i thua sepse të dhuroi tokë publike në Dhërmi nën siglën e “investitorit strategjik”, apo pagove për atë tokë?
19. Çfarë biznesi të lidh me personazhe të njohur që kanë gjetur strehë në Dubai, ku keni investuar së bashku?
###
P.S. Nuk po vazhdoj me pyetje të tjera, sepse disa i po i lë për emisionin tjetër!