Agjentët e FBI-së kanë bastisur sot shtëpinë në Bethesda, Merilend, dhe zyrën në Uashington të ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare, John Bolton, si pjesë e një hetimi të profilit të lartë mbi dokumentet e klasifikuara.
Sipas një zyrtari të administratës Trump për New York Post, bastisja u zhvillua me urdhër të drejtorit të FBI-së, Kash Patel. Bolton nuk është arrestuar dhe nuk akuzohet për ndonjë krim aktualisht.
Presidenti Donald Trump deklaroi se nuk kishte dijeni paraprake për operacionin: “Nuk di asgjë për këtë. E pashë vetëm këtë mëngjes… Por ata duhet të bëjnë atë që duhet të bëjnë,” tha Trump.

Hetimi ndaj Boltonit filloi në vitin 2020, por administrata e Biden e mbylli atë “për arsye politike”, sipas zyrtarëve amerikanë. Departamenti i Drejtësisë i Trump nisi më pas një hetim penal për dyshimet se Bolton kishte zbuluar sekrete kombëtare në librin e tij të vitit 2020, Dhoma ku ndodhi kjo.
Hetimi aktual, sipas zyrtarëve, nuk kufizohet vetëm te libri i Boltonit, por është pjesë e një hetimi më të gjerë mbi rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara gjatë administratës Biden. Mbyllja e hetimit nga Departamenti i Drejtësisë thuhet se mund të ketë pasur motive politike.

Bolton ka qenë gjithmonë kritik ndaj Trumpit që nga shkarkimi i tij në shtator 2019 dhe ka mbajtur qëndrime të forta mbi sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme. Pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, Boltoni humbi autorizimet e sigurisë dhe aksesin te Shërbimi Sekret, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e tij.
Ky hetim dhe bastisja vijnë pas deklarimeve të Patel se ish-drejtori i FBI-së, James Comey, kishte autorizuar rrjedhjen e dokumenteve të klasifikuara përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Patel ka premtuar të ekspozojë korrupsionin dhe veprimet e dyshimta të FBI-së, veçanërisht lidhur me hetimin mbi bashkëpunimin e Kremlinit me fushatën presidenciale të Trumpit.


