Ish-kryeministri dhe themeluesi i Partisë Socialiste, Fatos Nano, është ndarë nga jeta këtë të premte, në moshën 73-vjeçare, pas problemeve të rënda shëndetësore në mushkëri. Me ndarjen e tij nga jeta mbyllet një kapitull i rëndësishëm i historisë politike të Shqipërisë pluraliste.
Në ditët e fundit të jetës, pranë tij ka qëndruar Rexhina Nano, bashkëshortja e tij e parë, e cila e shoqëroi në periudhat më të vështira — nga burgosja në fillim të viteve ’90 e deri në momentet e fundit.
Shkrimtari dhe diplomati Luan Rama, në një mesazh ngushëllimi, kujtoi përkushtimin e saj të rrallë:
“Ngushëllime Rexhinës që nuk iu nda që nga burgosja e tij në vitet e para të tranzicionit e deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ngushëllime gjithë familjes.”
Nano, i cili prej vitesh jetonte mes Austrisë dhe Shqipërisë me bashkëshorten e dytë Xhoana Nano, mbetet një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90 — një lider që la gjurmë si reformator dhe si “arkitekt” i Partisë Socialiste moderne.


