Moderatorja e njohur Fatma Haxhialiu në muajin e nëntë, kur pret të bëhet për herë të dytë nënë e një djali, ndau pak nga emocionet e saj gjatë këtyre 9 muajve.
Sikletet e shtatzënisë nuk e kanë penguar aspak moderatoren që të jetë aktive njësoj si më parë. Në intervistën me Rudina Magjistarin ajo shprehet se ka shijuar çdo moment të kësaj periudhe, ku shton se nuk e ka kuptuar se si kanë kaluar muajt e se si ka fluturuar koha.
“Ka qenë një periudhë shumë intensive në fakt. Edhe pse unë nuk kam qenë prezente në fushën e medias me një projekt konkret, kam pasur projekte të tjera përveç bërjes së një bebi. Ne jemi në procesin e një shtëpie të re, ndërkohë që kanë ndodhur ndryshime edhe në biznesin tim. Ka qenë një periudhë shumë e ngarkuar aq sa kur po bëja llogaritë dje, që bëra këto kontrollet rutinë, mora vesh që kisha hyrë në muajin e nëntë, thashë me vete “ku shkuan muajt”, ‘si iku koha’. E vetmja periudhë që unë e kam ndjerë më shumë le të themi ka qenë 3 mujori i parë. Pastaj që nga momenti që ka ardhur Shtatori dhe deri tani nuk e di se si kanë fluturuar ditët. Kam qenë shumë aktive dhe ndoshta kjo ka ndihmuar qoftë për ta marrë pak më lehtë këtë pjesën e shtatzënisë. Për të mos e pasur shumë mendjen le të themi edhe shqetësimet janë më se normale në këtë periudhë.”
Kjo është shtatzënia e dytë për Fatma Haxhialiun. Ajo tregon se mbështetja e familjarëve dhe partnerit të saj e ka ndihmuar shumë për të kaluar vështirësitë e shtatzënisë. Nga ana tjetër thotë se lindja e parë i ka dhënë një lloj eksperience për t’i shijuar më tepër momentet e bukura.
“Unë mendoj se edhe mosha ka ndikuar shumë. Fakti që jam më e rritur, më e pjekur dhe sigurisht që ke disa gjëra më shumë, disa stabilitete krahasuar me shtatzëninë e Kianit që isha akoma e pasigurt, qoftë në karrierë, qoftë në pozitën time financiare. Ne kishim nisur hapat e parë bashkë me partnerin, por ti nuk e di se ku je në jetë, kurse kësaj here kisha siguri më shumë. E kam marrë eksperiencën e të qenit nënë. Pastaj patjetër suporti i partnerit që ke në krah, njerëzit e afërt. Të gjitha këto bëjnë atë të tërën që ti të ndjehesh më mirë dhe më e sigurt. Ta përjetosh me shumë qetësi këtë periudhë fantastike.”/tvklan.al


