Dy skuadrat shqiptare, Egnatia dhe Dinamo, zbresin sot në fushë në sfidat e para të turit të tretë të UEFA Conference League, me objektivin për të vazhduar rrugëtimin e tyre në arenën ndërkombëtare.
Në orën 20:00, kampionët e Shqipërisë, Egnatia, luajnë në transfertë kundër Olimpija Ljubljana në Slloveni. Skuadra vendase vjen pas ndryshimeve në pankinë, por mbetet një rival me potencial. Egnatia, e cila eliminoi Dinamon e Minskut në turin e mëparshëm, synon të befasojë sërish dhe të afrohet me play-off-in e kompeticionit.
Në orën 21:00, Dinamo e Tiranës përballet në një transfertë të vështirë me Hajdukun e Splitit. Përballja me një emër historik të futbollit kroat shihet si një sfidë e madhe për skuadrën e Ilir Dajës, që do të jetë pa shërbimet e Itodo Mandelës, tashmë i transferuar te Metalist në Ukrainë. Megjithatë, Dinamo premton luftë në fushë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Në të njëjtën mbrëmje, edhe dy klube nga Kosova luajnë përballje të rëndësishme europiane. Në orën 20:30, Ballkani pret në stadiumin “Fadil Vokrri” ekipin irlandez Shamrock Rovers, në kuadër të Conference League. Po në orën 20:30, Drita e Gjilanit përballet në transfertë me Steaua Bukureshtin, në ndeshjen e turit të tretë të Europa League.
Ekipet shqiptare dhe kosovare kërkojnë të shkruajnë histori në Europë, me objektivin për të kaluar në fazën “play-off”, një hap larg grupeve të kompeticioneve UEFA.
Radar.al


