Erling Haaland po shkruan historinë në Kupën e Botës, por ylli norvegjez nuk po tërheq vëmendjen vetëm për golat e tij. Sulmuesi i Manchester City-t është kthyer në një fenomen të vërtetë edhe në rrjetet sociale, ku fansat e kanë shndërruar në një nga figurat më të komentuara të turneut.
Me shtatin e tij prej 1.95 metrash, forcën fizike dhe aftësinë për të shënuar në çdo ndeshje, Haaland është cilësuar shpesh si një “makinë golash”. Deri para ndeshjeve të fundit të Botërorit 2026, ai kishte shënuar 7 gola në 4 takime, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të kompeticionit.
Por krahas imazhit të tij dominues në fushë, ajo që ka tërhequr shumë fansa është personaliteti i tij jashtë saj. Në internet, shumë ndjekës e kanë cilësuar me humor si “babygirl” apo “princeshën norvegjeze”, duke iu referuar anës së tij më lozonjare dhe më të butë.
Flokët e gjatë bjondë, lidhëset shumëngjyrëshe të flokëve dhe postimet humoristike në rrjete sociale kanë krijuar një kontrast të madh me figurën e sulmuesit të fuqishëm që terrorizon mbrojtjet kundërshtare.
Haaland shpesh luan me këtë imazh. Ai ka publikuar selfie me filtra, video në YouTube dhe postime me humor, duke treguar një anë të tij që fansat e kanë përqafuar shumë.
Një nga momentet që u bë viral ishte reagimi i tij pas eliminimit të Brazilit, kur postoi një selfie nga dhoma e zhveshjes me mbishkrimin: “Epo, epo, epo”. Ai gjithashtu ka reaguar me humor ndaj memeve që krahasojnë pamjen e tij me figura të ndryshme në internet.
Ky kombinim mes talentit të jashtëzakonshëm dhe personalitetit argëtues ka bërë që Haaland të fitojë edhe tifozë jashtë botës së futbollit.
Sarah Wilson, një krijuese përmbajtjesh sportive nga Nju Jorku, e cila më parë nuk ndiqte shumë futbollin, u bë një nga fanset e tij më të mëdha.
“E dua Erling Haaland më shumë se gjithçka. Nuk mund ta besoj që është njëkohësisht një princ i bukur norvegjez dhe një nga sulmuesit më të mirë në botë”, tha ajo në një video që u bë virale.
Ekspertët e rrjeteve sociale e shpjegojnë këtë fenomen me faktin se sportistët sot kanë mundësi të krijojnë vetë imazhin e tyre dhe të afrohen më shumë me publikun.
Profesor Jeffrey Kassing, i cili ka studiuar marrëdhëniet mes sportistëve dhe fansave në rrjetet sociale, thotë se Haaland është shembull i një lojtari që ka kaluar kufijtë e sportit dhe është kthyer në figurë të kulturës pop.
Vetë Haaland ka pranuar se po e shijon shumë mbështetjen e tifozëve amerikanë gjatë Botërorit.
“Mendoj se amerikanët janë shumë argëtues. Më pëlqen mënyra si janë dhe deri tani Kupa e Botës këtu ka qenë fantastike”, është shprehur ai.
Fenomeni Haaland tregon se futbollistët modernë nuk janë më vetëm protagonistë të fushës, por edhe personazhe të mëdha të internetit, ku personaliteti, humori dhe mënyra e komunikimit me fansat kanë po aq rëndësi sa edhe golat.


