Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, i është drejtuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një kërkesë për njohjen e dorëheqjes së 46 kandidatëve të renditur në listat e mbyllura të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, të paraqitura më 11 maj 2025.
Në shkresën zyrtare, Shabani kërkon që pas njohjes së dorëheqjeve, mandati të kalojë automatikisht tek kandidati i parë në listën e hapur, duke respektuar vullnetin e 65 mijë qytetarëve që votuan drejtpërdrejt për përfaqësuesit e tyre.
Kërkesa e Shabanit vjen në një kohë tensionesh, pasi kandidati Zeqir Kordhoni, i nënti në listë dhe i afërm i tij, ka shfaqur pretendime për të marrë mandatin e Adriatik Lapajt, ndonëse paraprakisht kishte dorëzuar dorëheqjen. Kordhoni kërkon qartësi nga KQZ për dokumentet e dorëzuara në emër të tij, duke lënë të kuptohet se mund të mos ketë qenë në dijeni të plotë të procedurave.
Shabani paralajmëron se çdo devijim nga praktikat e mëparshme të KQZ-së do të cënonte barazinë dhe besimin publik ndaj procesit zgjedhor.
Ai thekson se vendimi për dorëheqjet është bërë në konsultim me KQZ dhe është pjesë e një përpjekjeje për të sfiduar kodin zgjedhor aktual, që ai e cilëson si antidemokratik, përmes përdorimit të një “artifice ligjore”, por brenda kornizës që lejon ligji.
Shabani i bën thirrje KQZ-së që të mos lejojë as vonesa dhe as manipulime, dhe të respektojë vullnetin e qytetarëve që mbështetën listat e hapura.
Shkresa e plotë e Shabanit:
I nderuar Z. Komisioner,
Në emër të Partisë Nisma Thurje dhe Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ju drejtohem për të kërkuar zyrtarisht që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë sa më shpejtë rezultatin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe të shpërndajë mandatet sipas vullnetit të zgjedhësve.
Kanë kaluar dy muaj nga dita e zgjedhjeve dhe këto vonesa po krijojnë hapësira për lojra politike, të cilat po delegjitimojnë procesin duke u kthyer në telenovelat e verës.
Gjithashtu, kërkoj që KQZ-ja të njohë vullnetin e zgjedhësve të koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet, ku mbi 54,000 vota u dhanë drejtpërdrejt për kandidatët e listës sonë të hapur. Këto nuk janë thjesht shifra, por një shprehje e qartë e vullnetit të qytetarëve për të zgjedhur direkt përfaqësuesit e tyre në parlament.
Më lejoni t’ju rikujtoj se ky garim me lista të hapura, erdhi në kushtet kur partitë e vjetra u bënë bashkë për të na imponuar një kod zgjedhor anti-demokratik. Ne e sfiduam këtë përpjekje duke e ccuar ccështjen në Gjykatën Kushtetuese, dhe më pas duke u detyruar të përdornim një artificë, e cila gjithësesi është brenda hapësirës që na jep ligji.
Prandaj, për të vendosur një standard demokratik në Shqipëri, do duhet të krijohen kushte kur partitë politike të garojnë me lista të hapura. Dhe për këtë qëllim, kërkoj nga KQZ-ja që të njohë dorëheqjet e dorëzuara me datë 11 Maj 2025 nga 46 kandidatët e listës së mbyllur të koalicionit tonë, të cilët me vullnet të plotë deklaruan se nuk synojnë të marrin mandatin e deputetit.
Dua t’ju rikujtoj se veprimet tona janë marrë në bashkërendim të plotë me KQZ-në. Pikërisht për këtë arsye insistojmë që KQZ-ja të veprojë në përputhje me praktikën e mëparshme të tij, ku dorëheqjet e paraqitura janë njohur pa pengesa apo interpretim selektiv. Çdo devijim nga ky standard në rastin tonë do të përbënte jo vetëm shkelje të parimit të barazisë, por do të cënonte besueshmërinë e institucionit.
Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që:
Të njohë zyrtarisht dorëheqjet e 46 kandidatëve të listave të mbyllura të paraqitura në datë 11 Maj 2021, në përputhje me vullnetin e kandidatëve;
Të vijojë me procedurat për t’i dhënë mandatin kandidatit të renditur i pari në listën e hapur, në përputhje me ligjin dhe normat demokratike;
. Të mos lejojë asnjë manipulim apo vonesë që do të përbënte mungesë respekti ndaj 65,000 qytetarëve që i besuan koalicionit tonë dhe kandidatëve tanë.
Besojmë se nën drejtimin tuaj, KQZ do të qëndrojë në lartësinë e misionit të saj për të mbrojtur procesin demokratik dhe për të mos lejuar asnjë devijim nga vullneti i votuesve.
Me respekt, Endrit Shabani


