Gjykata e Latinës në Itali ka dënuar me 6 vite burg dhe një gjobë prej 30 mijë eurosh shqiptarin Leart Taullaraj, 42 vjeç, i arrestuar në mars të vitit të kaluar pasi u kap me 105 kilogramë kokainë të pastër, të fshehur në bagazhin e makinës së tij.
Vendimi u dha nga gjyqtari i seancës paraprake, Giuseppe Cario, në kuadër të një gjykimi të shkurtuar, ndërsa prokurorja Marina Marra kishte kërkuar të njëjtin dënim. I pandehuri u mbrojt nga avokatët Oreste Palmieri dhe Andrea Barbesin.
Pas arrestimit, Taullaraj ushtroi të drejtën për të heshtur para gjyqtares së hetimeve paraprake Laura Morselli, duke mos dhënë asnjë shpjegim për ngarkesën e madhe të drogës që iu gjet në automjet.
42-vjeçari u arrestua nga Skuadra Fluturuese e Policisë së Latinës më 5 mars, në qytetin Aprilia, pasi makina e tij u ndalua në një rrugë dytësore pranë qendrës tregtare “Aprilia 2”. Ai kishte marrë me qira një Fiat 500 në aeroportin Ciampino dhe dyshohet se kishte marrë drogën nga një depo apo kontakt furnizues, për ta transportuar më pas drejt destinacionit përfundimtar.
Gjatë kontrollit, oficerët gjetën tre çanta të zeza në bagazh, që përmbanin gjithsej 90 pako me kokainë, me peshë totale 105 kilogramë – një nga sekuestrimet më të mëdha të viteve të fundit në provincë. Substanca ishte e zhytur në një vaj aromatik me erë mentoli, me qëllim fshehjen e aromës karakteristike të drogës.
Sipas hetuesve, Taullaraj dyshohet se vepronte për llogari të një organizate kriminale që operon në zonën e Aprilias, ku ndodhi edhe arrestimi. Në të njëjtën periudhë, autoritetet po hetojnë edhe lidhjet me Patrizio Fornitin, kreun e një bande lokale që i shpëtoi arrestimit, dhe bashkëshorten e tij Monica Montenero, ndërsa vajza e tyre Yesenia Forniti ndodhet në burg nën procesin “Assedio”.
Megjithëse pa precedentë penalë, sjellja nervoze e Taullarajt gjatë kontrollit ngjalli dyshime te policët, të cilët pas një inspektimi të imtësishëm zbuluan sasinë rekord të drogës me vlerë dhjetëra milionë euro në treg.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin që qëndron pas trafikimit të drogës dhe rolin e saktë të 42-vjeçarit shqiptar në këtë strukturë kriminale.


