Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi sot drejtuesit e prokurorive Shkodër, Berat, Elbasan.
KLP zhvilloi ditën e sotme seancën plenare, në prani të 8 anëtarëve të Këshillit dhe përfaqësueseve nga Ministria e Drejtësisë dhe projekti EU4JUSTICE.
Në nisje të seancës, rendit të ditës iu shtua për diskutim-propozimi për caktimin e përkohshëm të drejtueses së Prokurorisë Korçë, Dhorina Theodhori, i cili u miratua unanimisht.
Në vijim, u miratuan përkohësisht drejtuesit e 3 prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, Berat dhe Elbasan, për një afat 3-mujor. Pasi u njoh me propozimet e sjella nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës, Këshilli miratoi si vijon: Albert Murçaj, drejtues i Prokurorisë Shkodër; Edina Kurti, drejtuese e Prokurorisë Berat; Kreshnik Ajazi, drejtues i Prokurorisë Elbasan.
Gjithashtu, Këshilli miratoi projektvendimin për shpalljen e pozicionit vakant për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Në përfundim, Këshilli miratoi unanimisht edhe raportin vjetor të punës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, për vitin 2024.


