Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka refuzuar kërkesat për lirimin nga burgu të tre personave të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me trafik ndërkombëtar droge.
Baki Huqi, Ismajl Abdurrahmani dhe Aldi Zonja kishin kërkuar që masa “arrest me burg”, vendosur ndaj tyre më 18 nëntor 2024, të rishikohej. Megjithatë, GJKKO ka vendosur ta lërë të pandryshuar masën e sigurisë, duke vlerësuar se kushtet për zbutjen e saj nuk janë plotësuar.
Të arrestuarit janë pjesë e një grupi që u godit në nëntor 2024 nga SPAK, si rezultat i një hetimi disa mujor. Operacioni zbuloi një laborator për përpunimin e kokainës në Qerekë të Krujës, si dhe dy ambiente të tjera logjistike në Tiranë dhe Durrës.
Grupi dyshohet se kishte krijuar një skemë të sofistikuar për futjen dhe përpunimin e kokainës të fshehur në lëkurë kafshësh – metodë e përdorur më parë edhe nga kartelet e Amerikës Latine.
Në këtë rrjet kriminal ishin përfshirë edhe tre shtetas të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian – të cilët dyshohet se ishin ekspertë për ndarjen e kokainës nga materiali organik.
Sipas të dhënave të siguruara nga hetimet dhe përgjimet, grupi përdorte kompaninë “Alb Lëkurë”, të regjistruar më 27 tetor 2020, si mbulesë ligjore për të justifikuar lëvizjet dhe importet. Ky subjekt rezultoi i lidhur me ambientet ku ndodhej dhe përpunohej droga.
Më 10 korrik 2025, GJKKO, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Irena Gjoka, vendosi të vazhdojë masën e “arrestit me burg” për tre të hetuarit, të cilët akuzohen për:
Trafikim të narkotikëve, në formën e grupit të strukturuar kriminal (nenet 283/a dhe 28/4 i Kodit Penal);
Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal (neni 333/a);
Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale (neni 334).
Palët kanë të drejtë ta ankimojnë këtë vendim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda 5 ditëve nga dita e njoftimit të vendimit të arsyetuar.


