TIRANË– Durim Bami pritet të ekstradohet ditën e sotme nga Dubai në Shqipëri. Policia informon se ekstradimi i Bamit vjen si rezultat i operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Bami akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, ndërsa edhe ky i fundit dhe anëtarë të tjerë të grupeve kriminale e donin atë të vdekur. Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.”/Radar.al


