Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve European Centre for Disease Prevention and Control ka raportuar një rritje të ndjeshme të infeksioneve seksualisht të transmetueshme në Evropë gjatë viteve të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara, në vitin 2024 janë regjistruar 106,331 raste të gonorresë, duke shënuar një rritje prej 303% krahasuar me vitin 2015. Po ashtu, rastet e sifilizit janë dyfishuar gjatë së njëjtës periudhë, duke arritur në 45,577 raste.
Ndër infeksionet më të përhapura mbetet klamidia, me 213,443 raste të raportuara, duke e bërë atë IST-në më të shpeshtë në kontinent.
Eksperti i ECDC-së, Bruno Ciancio, paralajmëroi se infeksionet e patrajtuara mund të sjellin pasoja serioze shëndetësore, përfshirë dhimbje kronike dhe infertilitet. Në rastin e sifilizit, komplikacionet mund të prekin zemrën, enët e gjakut dhe sistemin nervor.
Një shqetësim i veçantë mbetet rritja e sifilizit të transmetuar nga nëna tek fëmija, i cili pothuajse është dyfishuar nga viti 2023 në 2024.
ECDC thekson se grupi më i prekur mbeten burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, veçanërisht për gonorrenë dhe sifilizin, ndërsa është vënë re edhe një rritje e rasteve mes personave heteroseksualë, përfshirë gratë në moshë riprodhuese.
Autoritetet shëndetësore rekomandojnë përdorimin e mbrojtjes gjatë marrëdhënieve seksuale dhe testimin e rregullt në rast simptomash, për të frenuar përhapjen e mëtejshme të këtyre infeksioneve.


