Pretendime të reja kanë rikthyer në vëmendje një nga misteret më të diskutuara të botës së showbiz-it: atësinë biologjike të fëmijëve të Michael Jackson. Këtë herë në qendër të vëmendjes është djali i tij më i vogël, Blanket, i njohur sot me emrin Bigi.
Sipas thashethemeve që po qarkullojnë, ekziston mundësia që Bigi të mos jetë biologjikisht djali i Michael Jackson, por i aktorit legjendar Marlon Brando, me të cilin këngëtari kishte një miqësi shumë të ngushtë. Për vite me radhë, rreth origjinës biologjike të tre fëmijëve të tij – Prince, Paris dhe Blanket – janë përhapur teori të shumta, të cilat familja Jackson i ka mohuar vazhdimisht.
Pas ndarjes së Jackson nga Lisa Marie Presley, ish-infermierja Debbie Rowe pranoi të sillte në jetë dy prej fëmijëve të tij. Ndërsa për Blanket, i cili lindi në vitin 2002 nga një nënë surrogate e panjohur, misteri ka mbetur edhe më i madh.
Burime jozyrtare pretendojnë se Michael Jackson mund të ketë përdorur donator sperme për lindjen e Bigit dhe se ndër emrat e përfolur është edhe Marlon Brando. Sipas këtyre zërave, kjo e vërtetë e supozuar është mbajtur e fshehtë për shumë vite dhe është njohur vetëm nga një rreth i ngushtë personash pranë familjes. Megjithatë, deri më tani nuk ekziston asnjë provë zyrtare apo konfirmim nga familjet e përfshira që ta mbështesë këtë version.
Ndërkohë, trashëgimia e Michael Jackson vazhdon të mbetet një nga më fitimprurëset në historinë e muzikës. Sipas Forbes, që nga viti 2009 pasuria e tij ka gjeneruar rreth 3.5 miliardë dollarë të ardhura, ndërsa vetëm vitin e kaluar ai fitoi 105 milionë dollarë, më shumë se çdo artist i gjallë.
Interesi për figurën e Jackson është rritur edhe më shumë pas publikimit të trailerit të filmit të tij biografik, i cili theu rekorde shikimesh në mbarë botën, duke u bërë traileri më i ndjekur ndonjëherë për një film biografik muzikor.


