Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Vlorës, ku një 42-vjeçare me inicialet E. L., mësuese, ka denoncuar se është dhunuar nga Fatjon Dervishi, fqinji i prindërve të saj. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në zonën e skelës.
Sipas denoncimit të viktimës, Dervishi fillimisht e ofendoi dhe më pas e kap prej fyti E. L. arriti të shpëtonte dhe të kërkonte ndihmën e policisë, por gjatë përpjekjes për të ikur, dhunuesi e goditi në dorë, i mori telefonin dhe e goditi në shesh, duke e penguar të kontaktonte autoritetet.
Ngjarja u zhvillua para syve të dy banorëve të tjerë të pallatit. Viktima shtoi se dhunuesi dhe familjarët e tij e kanë kërcënuar më pas edhe jashtë komisariatit.
E. L. tregoi gjithashtu se babai i saj kishte qenë më parë objekt i dhunës nga i njëjti person, ku ishte goditur në afërsi të zemrës me një objekt të fortë, duke rrezikuar jetën.
“Rreth orës 13:00-13:30, duke shkuar për në shtëpi, më doli para një person i veshur me të zeza, me kapuç që mbulonte gjysmën e fytyrës. Ai më shtrëngoi prej fyti dhe më shau pa asnjë arsye. Nuk kemi pasur kurrë konflikt. Në katin e parë, ai më dhunoi përsëri, duke më marrë telefonin dhe duke më goditur në shesh. Kjo ndodhi para dy banorëve të tjerë të pallatit,” tha viktima.
Sipas saj, banorët e pallatit dhe familjarët e dhunuesit vendosin kamera që i monitorojnë të gjitha lëvizjet e familjes së saj dhe më pas kërcënuan familjarët e viktimës.
Ngjarja lidhet me një konflikt të mëparshëm mes familjeve: prindërit e 42-vjeçares nuk pranojnë që bashkëshortja e dhunuesit të jetë administratore e pallatit, duke kërkuar zgjedhjen nga banorët.
Policia po heton ngjarjen dhe ka mbledhur deklarimet e dëshmitarëve për të përcaktuar rrethanat e plota të sulmit dhe kërcënimeve.


