Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë në Ilion të Greqisë, ku një adoleshent 16-vjeçar është sulmuar në mënyrë brutale nga një 20-vjeçar, i cili i vuri zjarrin në kokë duke përdorur lëng dezinfektues. Sipas mediave greke, incidenti ndodhi të shtunën, më 5 Korrik, në banesën e një miku të viktimës.
Mediat vendase raportojnë se gjatë kohës që 16-vjeçari ndodhej në shtëpi, në dhomë hyri një 20-vjeçar që ai nuk e njihte mirë dhe iu afrua pa ndonjë arsye të qartë.
Pa paralajmërim, 20-vjeçari dyshohet se i spërkati kokën adoleshentit me një substancë dezinfektuese dhe më pas i vuri flakën me një çakmak.
Sipas dëshmisë së viktimës dhënë autoriteteve, ai ishte ulur në divan kur sulmuesi iu afrua nga pas, i hodhi lëngun në kokë dhe më pas e dogji, duke i shkaktuar djegie në flokë dhe fytyrë.
Menjëherë pas ngjarjes, 16-vjeçari u dërgua me ambulancë në Spitalin Pediatrik “Agia Sofia” në Athinë. Ndërkohë, 20-vjeçari u arrestua ditën e nesërme nga policia, ndersa kane nisur hetimet për rrethanat dhe motivet e këtij sulmi të rëndë./Radar.al


