Një çift pjeprash të rrallë Yubari, të kultivuar në ishullin verior japonez Hokkaido, janë shitur për një çmim rekord prej 5.8 milionë jenësh (rreth 31.400 euro) në ankandin e parë sezonal të vitit.
Shifra e arritur tejkalon rekordin e mëparshëm prej 5 milionë jenësh të vendosur në vitin 2019, duke konfirmuar statusin e tyre si një nga frutat më të shtrenjta dhe më të kërkuara në Japoni.
Sipas mediave lokale, pjepat u blenë nga kompania Futami Seika, një distributor frutash dhe perimesh me seli në Kushiro. Produkti pritet të ekspozohet në një nga supermarketet “Keio” në Tokio deri në fundjavë.
Të njohur për tulin e tyre portokalli, aromën e veçantë dhe ëmbëlsinë intensive, pjepat Yubari konsiderohen një simbol prestigji dhe shpesh blihen jo vetëm për konsum, por edhe si dhurata luksoze apo për qëllime promovuese.
Sipas kooperativës bujqësore lokale, këtë vit prodhuesit e Yubarit parashikojnë një prodhim prej rreth 3,086 tonësh, me një vlerë totale të vlerësuar në rreth 2.12 miliardë jen, ndërsa sezoni i korrjes pritet të kulmojë mes qershorit dhe korrikut.
Në Japoni, ankandet e para sezonale shpesh shoqërohen me çmime rekord për produkte të cilësisë së lartë, pasi blerjet përdoren edhe si formë marketingu dhe promovimi nga kompanitë.


