Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për kryetar bashkie në Tiranë në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor.
Në një fjalim për publikun, Qori falënderoi anëtarët e këshillit koordinues të Lëvizjes Bashkë për besimin e dhënë dhe qytetarët e Tiranës për mbështetjen. Ai premtoi se, nëse do të zgjidhet kryetar bashkie, do të punojë për t’i shërbyer qytetarëve dhe për ta bërë qytetin më të jetueshëm.
“Falënderoj nga zemra anëtarët e këshillit koordinues që më besuan këtë detyrë që besoj do të nderonte secilin prej nesh. Falënderoj edhe qytetarët e Tiranës që së fundmi më kanë inkurajuar që ta marr përsipër këtë garë. Në rast se qytetarët e Tiranës do të më votojnë për kryetar bashkie, unë betohem që me gjithë forcat e mia do tu shërbej atyre dhe të ndihmoj që qyteti ynë të bëhet i jetueshëm…”, tha ai gjatë fjalimit për shpalljen e kandidaturës.
Lëvizja Bashkë konfirmoi gjithashtu se Qori është kandidati i tyre zyrtar për këtë garë, duke e prezantuar atë si alternativën serioze dhe të besueshme për kryeqytetin.
Ndërkohë, përkundër deklaratave të mëparshme që deputeti Redi Muçi do të jepte dorëheqjen për t’u përfshirë në garë, kjo nuk ka ndodhur, duke lënë Arlind Qorin si kandidat të vetëm nga kjo forcë politike.
“Arlind Qori, me gjithë eksperiencën, seriozitetin, idealizmin dhe qëndrueshmërinë e tij, është alternativa e vërtetë për qytetin e Tiranës. Me besim te qytetarët dhe përkushtimi i gjithkujt që do të na bashkohet në këtë fushatë, dalshim faqebardhë”, thotë reagimi.


